Tetovë 6°C

Na ndiqni:

Kredia e re për Ukrainën, shtetet anëtare të BE-së mund të detyrohen të garantojnë deri në 210 miliardë euro

Kredia e re për Ukrainën, shtetet anëtare të BE-së mund të detyrohen të garantojnë deri në 210 miliardë euro

Kredia e re për Ukrainën, shtetet anëtare të BE-së mund të detyrohen të garantojnë deri në 210 miliardë euro

Shtetet anëtare të Bashkimit Europian do të duhet të angazhojnë individualisht garanci me vlerë deri në 210 miliardë euro, për të siguruar kredinë e re që synoh

Përditësuar: 9 dhj 2025
3 min lexim

Shtetet anëtare të Bashkimit Europian do të duhet të angazhojnë individualisht garanci me vlerë deri në 210 miliardë euro, për të siguruar kredinë e re që synohet t’i jepet Ukrainës, sipas dokumenteve që ka siguruar Politico.

Komisioni Europian u paraqiti diplomatëve shifrat përkatëse, pas propozimit të tij për një kredi prej 165 miliardë euro, e cila mbështetet edhe në shfrytëzimin e vlerës monetare të aseteve ruse të ngrira.

Sipas të dhënave të komunikuara shteteve anëtare, Gjermania pritet të mbulojë deri në 51,3 miliardë euro, rreth 25% të shumës totale të garancive, ndërsa pjesa tjetër do të shpërndahet proporcionalisht mes vendeve të BE-së.

Ndër vendet e tjera të mëdha, Franca mund të garantojë deri në 34 miliardë euro, Spanja 18,9 miliardë, Italia 25,1 miliardë dhe Polonia 10,3 miliardë.

Këto garanci konsiderohen të domosdoshme për miratimin përfundimtar të kredisë, pasi kryeministri belg, Bart De Wever, ka shprehur kundërshtim të fortë ndaj përdorimit të aseteve shtetërore ruse, nga frika se Belgjika mund të detyrohet në të ardhmen të kompensojë Moskën.

Dihet se rreth 185 miliardë euro asete ruse të ngrira administrohen nga institucioni financiar Euroclear në Bruksel, ndërsa 25 miliardë euro të tjera ndodhen në llogari private në vende të ndryshme të BE-së.

Shumat që duhet të mbulojë secili vend mund të rriten nëse shtete me qëndrim filo-rus, si Hungaria, refuzojnë të marrin pjesë në skemën e garancive. Pjesëmarrja e vendeve jo-anëtare mund të ulte barrën totale, por Norvegjia, e përfolur si kandidate e mundshme, është distancuar nga propozimi përmes deklaratave të ministrit të saj të Financave, Jens Stoltenberg.

Ukraina përballet me një mungesë buxhetore prej 71,7 miliardë euro për vitin e ardhshëm dhe rrezikon të detyrohet të shkurtojë shpenzimet publike duke nisur nga prilli, nëse nuk sigurohen fonde të reja.

Të premten, Hungaria vuri veton ndaj paketës së re të përbashkët financiare evropiane për nevojat e Kievit, duke e bërë vendimtare qëndrimin e De Wever në samitin e 18 dhjetorit, sa i përket përdorimit të aseteve ruse në vend të fondeve kombëtare.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, u shfaq të premten në Bruksel për të siguruar, së bashku me Ursula von der Leyen, kryeministrin belg se Gjermania do të marrë përsipër pjesën më të madhe të garancive.

“Patëm një diskutim shumë konstruktiv,” deklaroi Merz, duke shtuar se “shqetësimi i veçantë i Belgjikës për përdorimin e aseteve ruse të ngrira është plotësisht i kuptueshëm dhe duhet trajtuar në një mënyrë që garanton rrezik të barabartë për të gjitha shtetet evropiane”.

Sipas propozimit, kredia përfshin 115 miliardë euro për financimin e industrisë ukrainase të mbrojtjes gjatë pesë viteve të ardhshme dhe 50 miliardë euro për mbulimin e nevojave buxhetore të Kievit.

Gjithashtu, 45 miliardë euro do të përdoren për shlyerjen e një kredie të dhënë nga vendet e G7 vitin e kaluar. Komisioni parashikon që fondet të disbursohen në gjashtë këste brenda vitit.

Për të shmangur fenomenet e korrupsionit, do të zbatohen mekanizma të rreptë mbikëqyrjeje të kontratave dhe shpenzimeve, ndërsa Komisioni do të paraqesë në mënyrë të detajuar nevojat financiare të Ukrainës dhe burimet e ndihmës ushtarake e ekonomike.

Kjo do t’u mundësojë kryeqyteteve evropiane të ndjekin në kohë reale mënyrën se si rrjedhin fondet drejt Kievit.

Shpërndaj këtë artikull: